Nasim Haradinaj po vazhdon edhe sot dëshminë e tij në Gjykatën Speciale në Hagë në rastin kundër tij dhe ish-kryetarit të OVL-UÇK-së, Hysni Gucatiti.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit, ai përmendi edhe Shkëlzen Gashin, ish-këshilltarin e kryeministrit, Albin Kurtit, i cili pati deklaruar se pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer krime kundër civilëve serbë.

Haradinaj tha se do të ishte mirë që ai të thirrej si dëshmitar nga Specialja dhe të dënohet nëse ka shpifur.

“Do të ishte mirë ju me e ftu Shkëlzen Gashin këtu, le të tregon ai çka din për krimet që thotë se i kanë kryer pjesëtarët e UÇK-së dhe të dënohet nëse ka shpifë.”

“E kemi inkuraju që me këtë dije që ka, pa marrë parasysh a i doket dikujt mirë a keq, le të shkon në Prokurori dhe le t’i denoncon. Dhe i takon edhe sot ta bëjë”, tha Haradinaj para trupit gjykues.

“Ku unë them që Dick Marty nuk është antishqiptar, përkundrazi, ai e ka publikuar një raport, ku flitet për krimet që pjesëtarët e UÇK-së i kanë kryer ndaj civilëve të pafajshëm. Dyshohet sepse njerëzit janë të vramë, i kemi gati 1000 serbë civilë të pafajshëm që janë vrarë, shumicën dërmuese i kanë kryer pjesëtarë të UÇK-së, se s’kanë mujt me qenë pjesëtarë të shoqërisë kulturo-artistike ‘Hajdar Dushi”, kishte qenë deklarata e Gashi, e cila nxiti reagime të shumta në publik që rezultuan me vendimin e Kurtit për shkarkimin e tij nga pozita e këshilltarit të tij.