Gazetari norvegjez, Paul Refsdal kishte qenë reporter gjatë kohës së luftës në Kosovë. Kur kishte dëgjuar për vrasjen e Familjes Jashari, ai kishte vendosur të vinte dhe me aparatin e tij të dokumentonte me fotografi gjithë historinë e luftës, e cila u mori jetën shumë njerëzve. Edhe 17 vjet pas përfundimit të luftës, ai ka kujtime të freskëta për përvojat e tij në Kosovë dhe komandantët e UÇK-së, nofkat e të cilëve i kujtohen. Në një rrëfim ekskluziv për Periskopin, ai flet për përvojat e tij si reporter i luftës në Kosovë, kontaktet me komandantët e UÇK-së – Lulin, Gjarprin, Kapuçin, dhjetëshin e Sulltanin. Ndër të tjerash, ekskluzivisht për Periskopi ai rrëfen se si ishte takuar me Milaim Zekën, i cili kishte luajtur role të dyfishta gjatë luftës. Shtirej si ushtar dhe filmonte bazat e UÇK-së, ndërsa më pas shtirej si gazetar para agjencive ndërkombëtare, të cilave u shiste filmimet e tij.

Karrierën si gazetar lufte e kishte nisur më 1984. Kudo që raportohej për një luftë, Paul do të ishte aty. Ai kishte mbuluar dhe luftën në Kosovë, ku edhe ishte plagosur me një garantë dore nga ushtarët serbë. Plagët e marra nga granata ai arriti t’i shërojë në spitale sekrete të Drenicës, shumica e të cilave ishin të improvizuara nëpër shtëpi private. Në Spitalit e Lekocit, ku po trajtohej Paul Refsdal, ishin edhe ushtarët e plagosur të UÇK-së të Zonës së Drenicës.

Ai tregon për takimet që kishte pasur me disa nga komandantët e UÇK-së në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së në Likoc gjatë vitit 1998, për të cilët thotë se ishin të zotë, por nuk kishin strategji ushtarake, siç do duhej ta kishte një Ushtri që vendosi të përballej në front me forca të shumta serbe, të cilat sulmonin vazhdimisht.

“Unë po hyja nga Shqipëria në Kosovë me një grup ushtarësh, të cilët po drejtoheshin nga Komandanti “Daja i Vogël”, siç thirrej në atë kohë Hysni Syla. Unë po hyja nga Kruma e Shqipërisë, po kaloja nga Pashtriku. Disa orë pasi hymë në Kosovë, serbët na zunë në pritë, unë u plagosa nga një granatë dore që ra afër meje. Dy –tre tjerë u vranë, dhe u krijua shumë kaos. Unë mbeta i vetëm në pyll dhe po e tërheqja vetën time zvarrë nëpër pyll, ku po dëgjoja zërin e njerëzve që bërtisnin aty poshtë, derisa arrita të takohem me një grup. U lidha me komandantin “Daja i Vogël” dhe ata më ndihmuan. Kalova kohë nëpër spitale sekrete në Drenicë, duke ikur nga sulmet e vazhdueshme serbe. Mu deshën 3 muaj e gjysmë gjersa arrita të ngrihem në këmbë dhe të ecja nëpër Pashtrik. Unë e kam njohur tërë udhëheqësinë e UÇK’së në Drenicë. Jam takuar me: Lulin (Kadri Veseli), Gjarprin (Hashim Thaçi), Sulltanin (Sylejman Selimi), dhjetëshin (Rexhep Selimi), Fehmi Lladrovci (i vrarë gjatë luftës në Kosovë), Kapuçi (Mujë Krasniqi, i vrarë po ashtu gjatë luftës), e të tjerë”, rrëfen ai.

Tutje ai tregon se si me një aparat që e kishte huazuar nga Komandant “Luli”, siç njihej në atë kohë Kadri Veseli, kishte fotografuar të plagosurit që ishin të shtrirë në spitalin e Lekocit, ku po trajtohej edhe ai pas plagëve të marra.

Mjekët nuk i kishte fotografuar, meqë frikësohej se ushtarët serbë do ta gjenin aparatin e tij dhe do t’i vrisnin ata.

“I kërkova “Lulit” të UÇK-së që të ma huazonte aparatin e tij, meqë timin e humba bashkë me çantën kur u plagosa. Me atë aparat fotografova të plagosurit e shtrirë në spital, por jo edhe mjekët të cilët mund të vriteshin nëse ushtria serbe do ta gjente aparatin tim. Më pas mora leje që të fotografoja edhe ushtarët e UÇK-së në këtë zonë”.