Pas një rikthimi të fortë në vitin 2021, ekonomia globale do të shënojë një ulje të theksuar pas shpërthimit të varianteve të reja të Covid-19 dhe pas rritjes së inflacionit, borxhit dhe pabarazisë së të ardhurave.

Sipas një raporti nga Banka Botërore, rritja globale pritet të ngadalësohet nga 5.5 për qind në vitin 2021 në 4.1 për qind në vitin 2022 dhe 3.2 për qind në vitin 2023.

Ngadalësimi ekonomik përpos Evropës dhe Azisë Qendrore do të përfshijë edhe Shtetet e Bashkuar të Amerikës dhe Kinën.

Sipas këtij raporti, rritja ekonomike për Kosovën në 2022 pritet të jetë 4.1 për qind, nga 7.1 për qind nga sa ishte në vitin 2021.

Ndërsa në vitin 2023, rritja ekonomike pritet të jetë pak më e lartë, diku rreth 4.4 për qind.

Në vitin 2021, Kosova ishte një ndër vendet e rajonit me rritjen më të lartë, duke lënë pas Serbinë, Bosnjë Hercegovinën dhe Maqedoninë e Veriut.

Po ashtu sipas këtij raport, rritja ekonomike për Shqipërinë në vitin 2022 parashikohet të jetë 3.8 për qind.

“Ekonomia botërore po përballet njëkohësisht me COVID-19, inflacionin dhe pasigurinë e politikave, me shpenzimet e qeverive dhe politikat monetare në territore të paeksploruara. Rritja e pabarazisë dhe sfidave të sigurisë janë veçanërisht të dëmshme për vendet në zhvillim. Vendosja e më shumë vendeve në një rrugë të favorshme rritjeje kërkon veprim të bashkërenduar ndërkombëtar dhe një seri gjithëpërfshirëse politikash kombëtare”, tha presidenti i Grupit të Bankës Botërore, David Malpass.

Për vitin 2021 rritja në Shqipëri vlerësohet të ketë qenë 7.2%, ose 2.8 pikë për qind më e lartë sesa parashikimi i qershorit 2021. Nga vendet e rajonit, Shqipëria kishte në 2021 rritjen e dytë më të lartë pas Malit të Zi (me 10.8%, por ky shtet shënoi dhe rënien më të lartë në 2020), e ndjekur nga Kosova (7.1), Serbia me 6%, Bosnjë Hercegovina dhe Maqedonia e veriut me nga 4%.

Kujtojmë se para disa muajsh kryeministri Kurti kishte thënë se Kosova do t’i afrohej Kroacisë me rritje ekonomike, mirëpo sipas këtij raporti ekonomia e Kroacisë do të rritet për 5.4 për qind.