Numri i kosovarëve që aplikojnë për viza pune në shtetet e Bashkimit Evropian po vazhdon të rritet dita-ditës. Vetëm gjatë vitit 2021, 6 mijë e 221 qytetarë të Kosovës kanë aplikuar për vizë në Ambasadën e Kroacisë në Prishtinë. Ky numër është rritur dukshëm krahasuar me vitin 2020, ku kishin aplikuar 4 mijë e 804 persona.

Nga Ambasada e Kroacisë në Prishtinë në një përgjigje nuk është bërë e ditur nëse këto viza kanë qenë për punë, bashkim familjar apo turistike. Megjithatë, Kroacia është një nga vendet me numrin me të madh të aplikimeve për viza puna nga qytetarët e Kosovës.

“6 221 persona aplikuan për vizë kroate në vitin 2021”, kanë thënë nga ambasada kroate.

Nga kjo ambasadë, po ashtu, kanë thënë se për shkak të kufizimeve nga pandemia, dorëzimi i një aplikimi për vizë në ambasadën kroate që nga marsi i vitit 2020 është pezulluar përkohësisht, megjithatë disa kategori janë përjashtuar dhe në mesin e tyre edhe personat që u është lëshuar leja e qëndrimit dhe e punës në Kroaci.

“Ju njoftojmë se për shkak të kufizimeve të shkaktuara nga pandemia e COVID 19, dorëzimi i një aplikimi për vizë në ambasadat/konsullatat kroate, që nga marsi i vitit 2020 është pezulluar përkohësisht. Edhe pse kishte disa kategori të cilat ishin/janë të përjashtuara, mes tyre për shembull janë anëtarët e familjeve të shtetasve kroatë, personat të cilëve u është dhënë qëndrimi i përkohshëm ose u është lëshuar leja e qëndrimit dhe e punës në Republikën e Kroacisë, personat që udhëtojnë për shkollim, personat që udhëtojnë për arsye urgjente personale/familjare, etj.”, thuhet në përgjigjen e ambasadës.

“Ju njoftojmë se për momentin nuk kemi statistika të detajuara për secilën kategori. 4804 persona aplikuan gjatë vitit 2020 (d.m.th. viti kur filloi pandemia)”, thuhet më tej në këtë përgjigje.

Ndërsa, Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se për një muaj, 56 mijë qytetarë të Kosovës kanë aplikuar për viza pune në Gjermani. Haradinaj ka kritikuar Qeverinë Kurti për heshtje karshi ikjes së qytetarëve.

“Përse kjo heshtje? A nuk ishit ju qeveria e shpresës? Përse kaq shumë qytetarë ia mësyjnë ta lëshojnë vendin? Ata duan të ikin sepse qeveria nuk po tregon aftësi për ringjalljen ekonomike, përkundrazi, po e fundosë dita ditës edhe më shumë ekonominë edhe ashtu në krizë”, ka shkruar Haradinaj.

Ambasadat e vendeve të Bashkimit Evropian që janë në Kosovë, përfshirë ato që japin viza për zonën Shengen, vazhdojnë të japin viza udhëtimi për qytetarët që synojnë bashkimin familjar, për biznese, punë, viza për studentë, turistike dhe për raste të caktuara urgjente.