Policia italiane ka kapur një vrasës të kërkuar të mafias pasi i arratisuri u shfaq në pamjet satelitore të Google Maps.

E përditshmja britanike Telegraph, shkruante se Gioacchino Gammino është dënuar për vrasje dhe është arratisur nga burgu 20 vjet më parë, para se të zbulohej në Spanjë.

Ai mendonte se i kishte shpëtuar detektivëve pas dy dekadash në arrati, por policët symprehtë arritën ta kapnin.

60 vjeçari Gammino, jetonte një jetë të qetë në Spanjë ku kishte hapur një dyqan frutash e perimesh me një emër të rremë.

Por detektivët që kishin rënë në gjurmë të tij arritën të konfirmojnë vendndodhjen duke përdorur imazhet e Google Maps, thanë ata për mediat.

Një pamje e kriminelit të kërkuar e tregonte atë jashtë dyqanit të ushqimeve në qytezën Galapagar në veri të Madridit.

Dyqani i tij quhej El Huerto de Manu – (Kopshti i Manu), pasi prej vendosjes në Spanjë Gammino kishte ndryshuar emrin e tij në Manuel.

Fotot në faqen zyrtare të Facebook e tregojnë të arratisurin me veshje të bardhë prej shefi kuzhine, por ata arritën ta identifikonin nga një shenjë e veçantë gërvishtjeje në mjekër.

Gammino u arrestua më 17 dhjetor por vetëm dje u bë publikimi i ngjarjes.

Gammino ishte pjesë e klanit mafioz të Agrigento në Siçili dhe është shpallur fajtor për një seri krimesh si vrasje dhe trafikim drogash.

Ai ishte arratisur nga një burg në Romë në 2002 dhe qe zhdukur pa lënë asnjë gjurmë.