Nasim Haradinaj ka rrëfyer sot në Gjykatën Speciale për jetën e bërë pas luftës.

Ai tha se për një kohë në fillim ka shërbyer në trupat e TMK-së, teksa më pas ka vendosur që të merret me bujqësi. 

Haradinaj tha se dëshira e tij gjithherë ka qenë që të kthehet në Kosovë. 

“Pas çlirimit mendova se aktiviteti im është kryer sepse në një mënyrë Kosova u pa që po shkon drejt pavarësisë. U hoqën forcat serbe me ndihmën e aleatëve dhe unë mendova që shembulli im tani duhet të jetë i punës. U mora fillimisht me bujqësi. Njëherë isha i angazhuar në TMK që u transformua UCK në TMK deri në vitin 2001. Pastaj unë iu ktheva punës dhe dëshira ime ishte që të kthehesha në Kosovë, të jetojë në Kosovë”, ka rrëfyer ai.

E për qëndrimin në Suedi, ai deklaroi se ka qenë shkuarje e dhunshme. Sipas tij, ai ka qenë i detyruar që të migrojë atje dhe se nuk ka shkuar për të mira ekonomike. 

Haradinaj foli edhe për punën që ka bërë në Suedi. 

“Edhe në Suedi në një mënyrë unë isha dhunshëm, pa dëshirën time. Unë nuk kisha dalë që të kërkojë të mira ekonomike qysh kanë dalë shumë, por kisha dalë prej dhune. Atje kom pas rrogë shumë të mirë, në vlerë prej pesë mijë euro neto por dëshira dhe nostalgjia ime ishte që të kthehesha në Kosovë. Përktheja dy gjuhë”, deklaroi Haradinaj. 

Këto detaje ai i dha teksa u mor në pyetje nga avokati i tij mbrojtës, Toby Cedman.