Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të takohet me dyer të mbyllura këtë të hënë për të diskutuar testimin e asaj që Koreja e Veriut tha se ishte një raketë hipersonike.

Takimi u kërkua nga Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, tre nga pesë anëtarët e përhershëm në Këshillin e Sigurimit si dhe Irlanda dhe Shqipëria.

Në vitin 2017, Këshilli i Sigurimit miratoi njëzëri tre grupe sanksionesh ekonomike pasi Koreja e Veriut kreu teste bërthamore dhe raketore, një shfaqje e rrallë e unitetit për këtë organ, shpesh të bllokuar.

Nuk pritet asnjë deklaratë e përbashkët pas takimit të së hënës, tha një diplomat, megjithëse një tjetër shtoi se deklaratat ka të ngjarë të lëshohen përpara ose më pas takimit.

Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve (KCNA), një media shtetërore, tha se raketa e së mërkurës mbante një “kokë rrëshqitëse hipersonike” që “goditi me saktësi një objektiv 700 km (435 milje) larg”, pa identifikuar lëshuesin.

Raketa demonstroi gjithashtu një aftësi “të re”, duke lëvizur 120 kilometra anash pasi u shkëput nga lëshuesi për të goditur objektivin.

Nisja ishte testi i dytë i raportuar i atyre që Pyongyang pretendonte se ishin raketa hipersonike rrëshqitëse, pas një prove të ngjashme shtatorin e kaluar.

Shtetet e Bashkuara, Japonia dhe Kanadaja ishin midis atyre që shpejt dënuan testin e së mërkurës, duke deklaruar se ajo shkeli rezolutat e shumta të Këshillit të Sigurimit dhe kërcënoi sigurinë në rajon si dhe komunitetin ndërkombëtar.

Pheniani ka argumentuar se zhvillimi i vazhdueshëm i teknologjive të tij të armëve është i nevojshëm për të mbrojtur veten kundër një pushtimi të mundshëm amerikan.