Pas tërmetit të fortë 5.3 ballë që goditi Greqinë me epiqendër 2 km në perëndim të Follorinës, mediat lokale raportojnë se lëkundjet kanë pasur një kohëzgjatje të madhe dhe ka gjëmuar, ndërsa është ndjerë deri në Larisa. Të frikësuar nga lëkundjet, banorët janë larguar nga banesat e tyre dhe kanë zbritur në rrugë.

Banorët e Follorinës dhe fshatrave përreth kanë lënë banesat e madje disa prej tyre fjetën jashtë në makina apo kamionë, sipas raportimeve të mediave helene.

Sipas Institutit Gjeodinamik të Athinës, tërmeti është regjistruar në Follorinë në orën 21:43 të mbrëmjes së djeshme. Mediat greke shkruajnë se tërmeti ka pasur epiqendër 3 km në perëndim të qytetit të Follorinës në një thellësi 14.3 km.

Ai është ndjerë në shumë zona të Greqisë se Veriut, në krahinën e Maqedonisë Perëndimore, Qendrore deri në Selanik, por edhe me tej në jug deri në qytetet e Trikallas dhe Larisës.

Gjithashtu edhe mediat e Maqedonisë se Veriut raportojnë se ky tërmet është ndjerë në shumë zona të fqinjit verior të Greqisë deri në Shkup, madje deri në Bullgari.

Në repartet zjarrfikëse nuk ka pasur thirrje për ndihmë apo raportime për dëme, gjë që konfirmohet edhe nga policia lokale.

Brenda dhjetë minutave u regjistruan shtatë tërmete të tjera, 3.5 ballë të shkallës Rihter 19 km në perëndim të Follorinës dhe në thellësi fokale 5 km; 3.5 Rihternë thellësi fokale dhjetë km; 4.2 Rihter në një thellësi 10 km; 2.9 Rihter, në një thellësi fokale prej 10 km; 2.9 rihter në një thellësi fokale prej 10 km; 2.7 Rihter në një thellësi fokale prej 10 km dhe 3.7 rihter në një thellësi fokale prej 10 km.