Është shembur në Durrës një pallat 8-katësh, i mbetur i dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019.

Pallati në rrugën “Aleksandër Goga” në lagjen nr.18 u shemb rreth orës 14:00, me shpërthim të kontrolluar.

Në total u përdorën 20 kilogramë lëndë eksplozive, ndërsa janë hapur në trupin e tij 700 pika ku janë vendosur fitilat, njofton A2 CNN.

Në vendin ku u krye shpërthimi i kontrolluar, e gjithë zona ishte rrethuar me perimetër të sigurisë. Inspektorët e IKMT-së kishin njoftuar prej disa ditësh banorët e pallatit që të largonin sendet e tyre nga godina dhe të linin hapur dyert e dritaret.