Ish-Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka mbërritur në Kosovë mesditën e së hënës. Ai ka udhëtuar nga Roterdami në Prishtinë për të qenë afër familjarëve pas vdekjes së nënës së tij, Ajshe Veseli.

Demokracia.com ka kontaktuar edhe me Dhomat e Specializuara rreth vizitës së Veselit në Kosovë.

Zëdhënësi i Gjykatës Speciale, Michael Doyle, ka thënë për Rekordpress.com se gjyqtari i procedurës paraprake udhëzoi sekretarin që të menaxhojë vizitën e Veselit në Kosovë, për të takuar familjen.

Ai ka thënë EULEX-i dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara, për vizitën e Veselit në Kosovë.

“Për shkak të arsyeve detyruese humanitare, gjyqtari i procedurës paraprake udhëzoi Sekretarin që të menaxhojë një vizitë kujdestarie në Kosovë për z. Veselin për të takuar familjen. I akuzuari mbetet në paraburgim nga Dhomat e Specializuara. EULEX-i dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës”, ka thënë Doyle.

Ai nuk ka treguar se sa do të qëndrojë Veseli në Kosovë, duke thënë se nuk mund të jap detaje shtesë për arsye operacionale.

“Për arsye operacionale dhe për të respektuar privatësinë e z.Veselit, nuk mund të japim asnjë informacion shtesë për vizitën në Kosovë”, ka thënë tuje ai.

Ndërkohë, Veseli fillimisht ka vizituar varrin e nënë së tij dhe rreth orës 14:00 ka arritur në shtëpinë e familjes së tij. Megjithatë, nuk është lejuar të marrë pjesë në vendin ku po prisnin qytetarë për ngushëllime.

Ai u shoqërua nga forca të EULEXI-t, ndërsa askush nuk u lejua të afrohet 50 metra afër shtëpisë së tij.

Kujtojmë se Veseli edhe muaj më parë kishte ardhur në Kosovë për arsye familjare, pasi humbi edhe babanë pak kohë më parë.