Afër një vit pas ringjitjes në pushtet, qeveria e Albin Kurtit ka dështuar të përmbush premtimin për reformimin e Telekomit të Kosovës. Ndërmarrja publike vazhdon të mbijetojë me ndihmat nga buxheti i shtetit.

Në korrik të vitit të kaluar, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli paralajmëroi ndërmarrjen e masave për mbi 150 punëtorë të Telekomit të Kosovës që marrin paga pa shkuar në punë.

Gjashtë muaj pas paralajmërimit, ajo është shfaqur në një vizitë në Telekom bashkë me shefin e ekzekutivit, Albin Kurti.

Megjithatë, gjatë vizitës në Telekomin e Kosovës, ajo nuk njoftoi për ndërmarrjen e masave për një nga problemet më të kushtueshme të ndërmarrjes publike, me të cilën përballet tash e disa vite.

Në fakt, qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti – e cila ka premtuar stabilizimin e gjendjes së Telekomit – njoftoi sot për ndarjen e dhjetë milionë eurove nga buxheti i shtetit për ndërmarrjen telekomunikuese shtetërore, shkruan paparaci.

“Para më shumë se një dekade, neve na kujtohet që para disa viteve Telekomi sillte dividentë milionëshe buxhetit të Kosovës. Ne synojmë ta bëjmë lider Telekomin në Kosovë ashtu siç ka qenë, prandaj vitin e kaluar i kemi dhënë mbështetje financiare në vitin që lam pas”, tha Kurti në një paraqitje para mediave të hënën.

Paratë e taksapaguesve kosovarë, të transferuara me vendim të qeverisë në xhirollogaritë e Telekomit të Kosovës, do të përdoren për të mbuluar borxhet e ndërmarrjes.

Sipas Burbuqe Hanës, kryeshefes në detyrë të Telekomit, ky ishte një borxh i Telekomit i grumbulluar prej vitesh ndaj ARKEP.

“Ndihma ka qenë ekskluzivisht për pagesë të ARKEP-it, borxhi ka qenë 9 milionë e 786 mijë e 980 euro, kjo i bie që krejt vlera është dedikuar për pagesë të frekuencës të ARKEP-it, ka qenë borxh i grumbulluar”, tha ajo.

Si pasojë e problemeve financiare dhe operimit të vështirë të Telekomit të Kosovës, Qeveria Kurti zbriti fundvitin e kaluar dividentën e ndërmarrjes për qeverinë.

Qeveria Kurti, më 31 dhjetor 2021, anuloi vendimin e ish-qeverisë së Isa Mustafës të vitit 2015 ku ishte kërkuar që të ekzekutohet dividenta nga PTK-ja në vlerën 30 milionë euro. Dividenda, nga 30 milionë euro është zbritur në 15 milionë me vendimin e ri të qeverisë.

Sipas arsyetimit të vendimit të qeverisë, PTK-ja s’ka arritur ta paguajë dividendën prej 30 milionë euro, por ka paguar vetëm 15 milionë euro e cila është kontestuar në instancat gjyqësore nga kjo ndërmarrje publike.

Gjatë vizitës në Telekomin e Kosovës, ministrja Rizvanolli paralajmëroi investime të reja ndonëse nuk njoftoi marrjen e masave për parregullësitë e raportuara në ndërmarrje.

“Tash është koha që të shohim përpara, posaqerisht për investimet që janë esenciale për Telekomin, në radhë të parë për përmirësimin e shërbimeve për qytetarët e që janë investimet në rrjet, investimet në implementimin e kodit shtetëror të Kosovës dhe investimet në rrugën e punimeve që janë pjesë e sigurisë kombëtare”, tha Rizvanolli.

Ajo tutje tha se njëra nga të arritura që duhet të përmendet është edhe implementimi i marrëveshjes së roamingut me shtetet e rajonit, pra me 6 shtetet e Ballkanit Përendimor e cila ka qenë sfiduese, mirëpo është relaizuar me sukses nga ana e Telekomit.