Liqeni i Ohrit, që afekton jetën e më shumë se 180 mijë banorëve në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut, kërcënohet nga tonelata mbetjesh të industrisë minerare dhe nga ujërat e zeza që derdhen në të. Efektet kanë filluar të ndihen dhe disa lloje peshqish janë drejt zhdukjes. Nëse këto probleme nuk marrin zgjidhje sipas orientimeve të UNESCO-s, atëherë liqeni i Ohrit rrezikon të dalë përfundimisht nga lista e pasurive botërore.

Misioni i fundit i ekspertëve dhe vëzhguesve të UNESCO-s, i cili pa nga afër situatën në të gjithë zonën e mbrojtur të Pogradecit, që përfshin një sipërfaqe prej 11.300 ha, la mbi tryezën e autoriteteve shqiptare 32 rekomandime.

Zhvendosja e mineraleve apo mbetjeve të tyre, të depozituara prej vitesh në bregun e liqenit dhe në peizazhin e mbrojtur, trajtimi i ujërave të zeza, që derdhen në liqen, si dhe rehabilitimi i fushës së mbetjeve, u konsideruan emergjencë.

Edhe pse ky site i trashëgimisë natyrore dhe kulturore, veç statusit të UNESCO-s, gëzon edhe statuse të tjera mbrojtëse nga legjislacioni vendas, autoritetet, jo vetëm që nuk janë treguar të gatshme për të përmbushur detyrimet që rrjedhin nga kjo mbrojtje e shumëfishtë, por janë neglizhente ndaj problematikave.

Industria minerare e ktheu në “tokë të djegur” zonën e mbrojtur

Ismet Krasta është një prej minatorëve të Çervenakës, i cili prej vitesh punon për nxjerrjen e mineralit të hekur-nikelit në një minierë, që ndodhet në pjesën lindore të fshatit.

Mbarimi i rezervave nëntokësore të mineralit, i cili vazhdon të ketë treg të sigurt në Maqedoninë e Veriut dhe vende të tjera të rajonit, i ka orientuar subjektet e shfrytëzimit drejt nxjerrjes së mineralit nga faqet e maleve, përmes asaj që minatorët e quajnë teknika me zbulim.


“Kam vite që punoj si minator dhe kompania është përpjekur që të mos e lërë për një kohë të gjatë mineralin e depozituar në të njëjtin vend, por ta ngarkojë sa më parë nëpër kamionë dhe ta dërgojë drejt Qafë-Thanës, për të mos shkaktuar edhe ndotje të ambientit
”, – thotë Ismeti.