Të gjendur në mesin e shumë trazirave në vendin ku jetojnë, shumë shtetas kosovarë kanë rinisur punën në Kazakistan.

Shteti i Azisë Qendrore po përballet me protestat më të ashpra në 30 vjet të pavarësisë së tij.

Protestat kanë nisur më 2 janar për shkak të rritjes së çmimit të gazit dhe janë zgjeruar në pakënaqësi ndaj Qeverisë dhe ish-presidentit Nursultan Nazarbayev, i cili ka udhëhequr Kazakistanin për tri dekada dhe besohet se ka ende ndikim.

Viteve të fundit, shumë kosovarë kanë arritur të sigurojnë punë në Kazakistan, kryesisht përmes kompanisë së ndërtimit, Mabetex Group, në pronësi të Behgjet Pacollit, ish-president i Kosovës.

Radio Evropa e Lirë ka biseduar me Kastriotin – identiteti i vërtetë i të cilit është i njohur për redaksinë e REL-it – për gjendjen e sigurisë momentale atje.

Më 6 janar, ai tha se kompania Mabetex Group ka lajmëruar atë dhe kolegët e tij se do të jenë në pushim për afat të pacaktuar.

Kastrioti punon në kryeqytetin e Kazakistanit, Nur Sulltan.

Të hënën, më 10 janar, ai i tha REL-it se është kthyer në punë, por me një orar më të shkurtër se zakonisht.

Ndonëse vendi ku po qëndron është më i qetë se disa qytete të tjera të Kazakistanit, ai thotë se ka frikë për sigurinë.

“Normalisht që po frikësohen, ma merr mendja që 20 ose 30 veta [nga ata që i njoh] dëshirojnë të largohen nga këtu”, thotë Kastrioti.

Kompania: Nuk kemi kërkesa për kthim nga punëtorët

Kompania Mabetex Group mohon se punëtorët e saj kanë kërkuar të ikin nga Kazakistani.

Mabetex Group ka bërë të ditur se punëson rreth 1,900 punëtorë shqiptarë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Këta punëtorë, sipas kompanisë, veprojnë në qytetet: Ust Kamenogorsk, Almati dhe Nur Sulltan.

Përmes një komunikate për media më 10 janar, kompania ka konfirmuar se punëtorët e saj janë kthyer në punë, se janë të sigurt dhe se jeta zhvillohet normalisht.

Sipas Mabetex Group, “nuk ka pasur asnjë kërkesë nga punëtorët për t’u kthyer në vendlindje”.

Për dy ditë, para datës 6 janar, në mbarë Kazakistanin është ndërprerë interneti dhe valët telefonike. Shërbimet e tilla, më vonë, janë rikthyer pjesërisht.

Kastrioti thotë se ai dhe kolegët e tij, pas disa ditësh trazira, kanë arritur të bien në kontakt me familjet e tyre.

“Familjarët tani, pasi i kemi lajmëruar, janë qetësuar… Në fillim [kur nuk ka pasur internet] ka qenë më vështirë”, thotë ai.

MPJ hesht për kosovarët në Kazakistan

Derisa protestat dhe trazirat në rrugët e Kazakistanit vazhdojnë tash e tetë ditë, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës nuk ka folur ende për çështjen e sigurisë së shtetasve kosovarë atje.

MPJ, që nga 6 janari, nuk u është përgjigjur as pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me numrin e kosovarëve në Kazakistan dhe sigurinë e tyre.

Autoritetet në Kazakistan kanë vendosur tashmë orë policore, duke ua ndaluar qytetarëve lëvizjen nga ora 23:00 deri në 07:00.

Një interesim më aktiv i Qeverisë së Kosovës për këta qytetarë është shumë i nevojshëm, sipas profesorit të shkencave të sigurisë në Kosovë, Avni Islami.

“Shteti ynë, meqë nuk ka ambasadë, përfaqësi në atë shtet, do të duhej që përmes ambasadave të treta të interesohet, t’i identifikojë të gjithë punëtorët dhe të përpiqet që ata ose të vendosen në vende të sigurta, ose të bëhet tërheqja e tyre”, thotë Islami.

Çfarë po ndodh në Kazakistan?

Kazakistani po përjeton protestat më të këqija në rrugë prejse ka shpallur pavarësinë, tri dekada më parë.

Destabiliteti është duke shkaktuar shqetësim te dy fqinjët e fuqishëm të Kazakistanit: Rusia dhe Kina.

Kazakistani shet shumicën e eksporteve të naftës në Kinë dhe është aleat kryesor strategjik i Moskës.

Presidenti i Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev, e ka përshkruar dhunën vdekjeprurëse të javës së kaluar si tentim për puç.

Sipas shifrave të fundit, mbi 160 njerëz janë vrarë në trazira, ndërsa afro 8,000 janë arrestuar.

Tokayev u ka thënë të hënën liderëve të aleancës ushtarake të ish-vendeve sovjetike se aksioni është koordinuar nga një “qendër e vetme”, mirëpo nuk ka përmendur përgjegjës konkret.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se Kazakistani është shënjestruar nga terrorizmi individual, duke shtuar se Rusia nuk do të lejojë kurrë revolucione në rajon.

Autoritetet kazake kanë thënë se situata është stabilizuar.