Së fundmi duket se Shqipëria ësht kthyer në aleaten më të re të Britanisë së Madhe në betejën kundër Xi dhe Putinit. ‘The Sunday Times’ shkruan se Britania e Madhe ka nisur t’i bëjë elozhe Ramës, me shpresën për të rritur investimet në Shqipëri, një anëtare e NATO-s, dhe për të forcuar një marrëdhënie midis vendeve, që ka filluar një shekull më parë.

Kryeministri artdashës i shtetit ish-komunist po konsiderohet nga Downing Street si një mburojë pro perëndimore në Ballkan, shkruan Matthew Campbell për ”The Sunday Times”.

‘Edi Rama është një kryeministër i pazakontë. Tavolina e tij është e mbushur me tubeta ngjyrash, lapsa dhe piktura me bojëra uji. Muret e mëdha të zyrës së tij janë të mbuluara me qindra imazhe abstrakte të krijimeve të tij. Në një kafaz në paradhomë, dy papagaj gri ”bërtasin” dhe fishkëllejnë. Qeverisja e Shqipërisë për tetë vjet nuk e ka penguar 57-vjeçarin Rama të përmbushë pasionet e tij artistike. Kur hyra në zyrën e tij, politikani socialist, i cili dikur ka luajtur basketboll, mezi ngriti sytë nga veprat e tij të fundit të artit surrealist,’-shkruan Campbell .

Rama thotë se ka marrëdhënie të mira me Boris Johnson. Ata janë të dy ish-kryebashkiakë të kryeqyteteve të tyre, një rol në të cilin shqiptari la gjurmë kur urdhëroi që ndërtesat e zymta të epokës komuniste të pikturoheshin me ngjyra të ndezura dhe të theksuara.

Kohët e fundit, kryeministri britanik emëroi sër Stuart Peach, ish-komandanti më i lartë ushtarak i NATO-s deri në verën e kaluar, si të dërguar special në rajon. Nesër në Tiranë, Peach do të takohet me ministren e Jashtme Olta Xhaçka për të diskutuar mbi tensionet në rritje në rajon.

Disa shtete ballkanike, të frustruara në radhën, në dukje statike, për anëtarësimin në BE, janë afruar me Moskën dhe Pekinin. Rama, megjithatë, këmbëngul se dekadat e izolimit të Shqipërisë nën Enver Hoxhën, për 40 vjet, paranojak dhe diktatori komunist i saj, nënkuptojnë se ajo mund t’i rezistojë “tundimit” për të bërë aleanca alternative gjeopolitike.

Edhe pse Rama e krahason kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në BE me dramën ”Në pritje të Godosë” të Samuel Beckett, ai është i përkushtuar t’i bashkohet bllokut.

Së fundmi Serbia ka aplikuar për anëtarësim në BE, por ka mbrojtur interesat e saj duke blerë avionë luftarakë dhe tanke ruse. Moska, përmes aleatit të saj serb, dyshohet se po përpiqet të destabilizojë Kosovën, një vend pro perëndimor që aspiron gjithashtu anëtarësimin në BE, si dhe Bosnje-Hercegovinën, një tjetër aplikante për në BE. Xhaçka gjithashtu ankohet për “premtimet e pambajtura” të BE-së ndaj atyre vendeve të Ballkanit në pritje të anëtarësimit.

“Unë mendoj se situata në Ballkanin Perëndimor është më e pasigurt se sa ka qenë në 20 vitet e fundit. Kryeministri ynë ka një bindje të fortë se gratë bëjnë më mirë dhe janë më pak të korruptuara. Ne mendojmë se ky nuk është një proces që po shpërblen punën tonë të palodhur, por është bërë më tepër politik, me shtete anëtare që llogaritin interesat e tyre. Zgjerimi është bërë një nga këto çështje që askush nuk dëshiron ta trajtojë, veçanërisht gjatë fushatave zgjedhore”, thotë Xhaçka. Kjo po ndikon në besueshmërinë e BE-së”, tha ministrja Olta Xhaçka.

“I mungon largpamësia strategjike. Çfarëdo që të ndodhë në Ballkan ndikon në stabilitetin dhe sigurinë e Evropës. Nuk ka boshllëqe në gjeopolitikë, dhe nëse nuk jeni të angazhuar atje si vende perëndimore, atëherë boshllëkun do ta mbushin të tjerët. Mbretëria e Bashkuar ka vendosur të jetë më e angazhuar, gjë që është fantastike. Ky fokus i ri i gjetur është diçka nga e cila përfitojnë të gjithë: Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Europian”, shton Xhaçka, përcjell dosja.al.

Një ambasador evropian në Tiranë pranon se Shqipëria është një “aleat vendimtar i NATO-s” dhe shprehu keqardhjen për gjendjen e saj të vështirë për anëtarësimin.

“Ne nuk kemi bërë aq sa duhet për të shpërblyer suksesin e saj për reformat. Askush prej nesh nuk ka bërë përpjekje të mjaftueshme për t’i ndihmuar ata të hyjnë në BE. Ka rreziqe gjeopolitike. Duhet të investojmë më shumë”, theksoi ai.

Shqipëria, megjithatë, është shpërblyer për besnikërinë që ka treguar ndaj Perëndimit. Javën e kaluar ajo zuri një vend në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në të cilin u zgjodh së bashku me Brazilin, Gabonin, Ganën dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, për dy vitet e ardhshme. Tirana është përzgjedhur edhe si kryeqyteti evropian i të rinjve për këtë vit, që Rama e cilëson si “të pabesueshme”.

Erion Veliaj, pasardhësi i Ramës si kryebashkiak i Tiranës, është i entuziazmuar nga perspektiva, duke përshkruar një program të mbushur me ngjarje koncertesh, konventash urbanistike dhe garash koktejlesh.

“Është një mënyrë e shkëlqyer për të ndihmuar në rregullimin e imazhit tonë. Do të ishte një vitrinë për të gjitha këto gjëra që ku nuk i prisni në një vend me mbizotërim mysliman, i cili shpesh lidhet vetëm me arkitekturën e keqe, gjakmarrjen dhe krimin e organizuar. Është një mënyrë që ne të themi ‘shiko, është e sigurt’. Gratë po ngasin biçikleta, vera dhe ushqimi janë të shkëlqyera, të gjithë flasin anglisht. Çfarë nuk të pëlqen?”,- shton Veliaj.

Tirana tashmë ka gjetur rrugën drejt hartës së turizmit dhe jo vetëm për ndërtesat me ngjyra të ndezura të Ramës. Historia e errët e vendit është në vetvete një atraksion për  vizitorët e huaj dhe mbetjet e saj janë të dukshme kudo, nga piramida e destinuar si mauzoleumi i Hoxhës deri te bunkerët prej betoni që ai ndërtoi për të frenuar armiqtë e tij, realë dhe imagjinarë.

Hoxha, dikur lider i rezistencës së kohës së luftës kundër fashizmit, u përplas me aleatët komunistë njëri pas tjetrit. Si rezultat, ai e mbylli Shqipërinë nga pjesa tjetër e botës, duke e bërë atë vendin më të varfër dhe më të izoluar në Evropë, një Kore të Veriut ballkanike.