Një 32-vjeçar nga Kosova është vënë nën prangat e policisë së Shqipërisë, me qëllim ekstradimin e tij drejt Kosovës.

Shtetasi i Kosovës me inicialet I.A., banues në Nivokaz, Kosovë, u ndalua në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar Morinë, nga shërbimet e Policisë Kufitare.

“Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas ka rezultuar person në kërkim ndërkombëtar nga UNMIK/Kosovë, pasi Gjykata Themelore Pejë, e ka dënuar me dy vite e dy muaj burg, për veprën penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”, thuhet në njoftim.

Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit në DVP Kukës bënë arrestimin provizor të këtij shtetasi, me qëllim ekstradimin e tij Kosovës.