Në një epokë në të cilën është e vështirë të jesh anonim, identiteti i shpikësit të kriptomonedhës mbetet një mister.

Trembëdhjetë vjet më parë, një person ose grup që përdorte emrin Satoshi Nakamoto publikoi një letër që përshkruante një sistem të ri softuerësh të quajtur Bitcoin. Sot, Bitcoin vlen më shumë se 1 trilion dollarë dhe ka ndezur një fenomen që, sipas përkrahësve të tij, mund të riorganizojë të gjithë rrjetin financiar global, raporton “The Wall Street Journal”.

Sidoqoftë, ekziston një mister në zemër të Bitcoin. Kush është në të vërtetë Satoshi Nakamoto?

Jeta e shkurtër publike e Satoshi Nakamotos

Më 31 tetor 2008, Satoshi Nakamoto dërgoi një letër me nëntë faqe një grupi kriptografësh duke përshkruar një formë të re të “parave elektronike” të quajtur Bitcoin.

Në atë kohë askush nuk kujdesej për identitetin e Nakamotos. Shumica e njerëzve në atë grup ishin skeptikë për vetë idenë e Bitcoinit.

Kriptografët dhe zhvilluesit si Hal Finney, Nick Szabo, David Chaum dhe Wei Dai, ishin përpjekur për më shumë se një dekadë të zhvillonin një version elektronik të parave të gatshme. Të gjithë ata kishin dështuar, për një sërë arsyesh

Më 9 janar 2009, Nakamoto nisi Bitcoinin. Hal Finney ishte një nga të paktët që ishte i intriguar prej tij dhe në javët e para të dy punonin nga distanca për të funksionuar rrjetin e Bitcoin. Transaksioni i parë me Bitcoin shkoi nga Nakamoto te Finney.

Për rreth dy vjet, ndërsa Bitcoin rritej ngadalë, Nakamoto shkroi në tabelat e mesazheve dhe shkëmbeu privatisht emaile me zhvilluesit. Në dhjetor të vitit 2010, Nakamoto ndaloi së postuari publikisht dhe ndaloi së foluri me zhvilluesit në vitin 2011. Nakamoto ia kaloi udhëheqjen e projektit Gavin Andresen, një zhvillues softuerësh.

A dimë diçka për Nakamoton si person?

Jo, në të vërtetë. Në mesazhet publike, madje edhe në mesazhet private që u publikuan më vonë, Nakamoto nuk foli kurrë për asgjë personale. Asgjë biografike, as për motin, as për gjërat që ndodhin në vend. Gjithçka kishte të bënte me Bitcoin dhe kodin e tij.

Nakamoto përdori dy adresa emaili dhe një faqe interneti. Identiteti i personit që i ka regjistruar është i bllokuar.

Nuk ka asnjë informacion tjetër publik. Në një epokë në të cilën është e vështirë të jesh anonim, Nakamoto mbetet një fantazmë.

Por a nuk është Nakamoto i pasur?

Janë rreth një milion Bitcoin që janë “minuar” në vitin e parë të Bitcoin dhe që nuk janë zhvendosur kurrë.

Sot ato Bitcoin kanë vlerë rreth 55 miliardë dollarë. Kjo do ta bënte Nakamoton një nga 30 njerëzit më të pasur në botë, sipas listës së miliarderëve në kohë reale të Forbes.

Supozohet se ato një milion Bitcoin kontrollohen nga Nakamoto – dhe vetëm Nakamoto.

Pra, pse nuk janë shitur?

Në vitet e para, komuniteti i kriptomonedhave supozoi se Nakamoto mbeti anonim dhe i la ato monedha Bitcoin të paprekura, kryesisht nga frika. Nuk dukej e paarsyeshme që shpikësi i Bitcoin mund të arrestohej. Megjithatë, vitet e fundit, shumica e qeverive – Kina është përjashtimi i madh – kanë pranuar Bitcoinin në shkallë të ndryshme.

Ka kaluar një dekadë që kur Nakamoto u zhduk. Është e mundur që krijuesi i Bitcoin ka vdekur pa i dhënë dikujt tjetër çelësat privatë. Është gjithashtu e mundur që Nakamoto ka humbur çelësat dhe nuk mund të lëvizë Bitcoinin.

Me kalimin e viteve, pothuajse kushdo që punonte edhe nga distanca të ngjashme me Bitcoin – si Hal Finney, i cili vdiq në 2014 dhe Gavin Andresen – është cilësuar si Nakamoto. Të gjithë e kanë mohuar dhe nuk ka prova për të vërtetuar të kundërtën.