Një ditë pas protestës së thirrur nga ish kryeministri Sali Berisha, vihet re se selia blu duket thuajse e shkatërruar nga trazirat.

Kamerat janë të mbuluara me spraj, xhamat janë të thyer, karriget kanë dalë jashtë funksioni dhe në zyra ka vetëm rrëmujë.

Në total, 60 persona janë shoqëruar në komisariat për dhunën e shkaktuar ditën e djeshme në selinë e PD.

Protesta e thirrur nga Seli Berisha në selinë e PD, nisi dje në mesditë dhe mbështetësit e Berishës dhanë shenjat se vazhdimi do ishte i dhunshëm.

Ata nisën të shajnë dhe fyejnë të gjithë deputetët që mbështesin Bashën. I pari ishte deputeti Xhelal Mziu.

Me të njëjtën situatë u gjend edhe Roland Bejko, anëtar i kryesisë të kësaj force politike i cili edhe u godit teksa donte të hynte në selinë blu. Mbështetësit e Berishës e detyruan të largohej.

“Më goditi njeri që e mbajta me bukë”, tha Bejko.

Sali Berisha mbërriti ekzaktësisht rreth orës 12 në oborrin e PD, ndërkohë që Lulzim Basha për të evituar incidentet hyri në seli që në orën 8:00. Ky ishte mesazhi i parë nga Sali Berisha.

Misioni protestuesve ishte i qartë. Futja me çdo kusht në selinë blu. Ata mundën të hynë vetëm më katin e parë e tentuan pa sukses të çmontonin dyert e blinduara që të çojnë në katin e dytë.

Tentativa për të marrë selinë vijoi nga jashtë përmes shkallëve. Ata që donin të realizonin futjen nga dritaret u përballën me gaz lotsjellës i hedhur nga brenda selisë së PD.

Vendosmëria për të marrë selinë u përqendrua në një derë anësore duke vënë në përdorim leva e varre. Nga të vetmet të çara që mundët të bënin, morën mbrapsht një sasi të madhe gazi lëshuar nga brenda.

Pas më shumë se dy orë protestë, selia e PD u kthye në një zonë krimi me dëme të shumta në pjesën e përparme të saj. Ndërhyrja e policisë me kërkesën e PD bëri që të shpërndaheshin protestuesit ndërsa Berisha ndodhej brenda selisë.

Më pas, Berisha u largua në drejtim të Kryeministrisë ku edhe lajmëroi shpërndarjen e protestës.

“Shpërndahemi të merremi me të plagosurit dhe të arrestuarit”, tha Berisha.

Brenda në selinë e PD qëndruan drejtuesit, deputetët mbështetës të Bashës që mbrojtën dyert dhe policia në oborr.