Rusia do të zhvillojë gjatë javës së ardhshme një seri takimesh diplomatike me përfaqësues të Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s, për të diskutuar mbi çështjen e Ukrainës.

Konkretisht zyrtarët rusë do të mbajnë një takim kokë më kokë me homologët amerikanë më 10 janar në Gjenevë, me zyrtarët e NATO-s më 12 janar në Bruksel dhe një ditë më vonë me ata të OSBE-së në Vjenë.

Takimet vijnë pasi ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s mbajtën më 7 janar një samit të jashtëzakonshëm, ku u diskutua prania ushtarake ruse në kufi me Ukrainën dhe çështje të tjera evropiane të lidhura me sigurinë, shkruan euronews.al.

Ndërkohë, ditën e hënë një delegacion i Aleancës i udhëhequr nga sekretari i përgjithshëm Jens Stoltenberg do të takohet me zyrtarë ukrainas.

Nga ana e saj, Moska insiston se zgjerimi i NATO-s në Lindje është i papranueshëm dhe kërkon garanci nga Perëndimi që një gjë e tillë të mos ndodhë.

Në veçanti Kremlini kërkon mos-anëtarësimin e Ukrainës, gjë për të cilën vitin e kaluar i paraqiti edhe një seri propozimesh administratës amerikane.

Mes tyre spikaste edhe apeli për të mos vendosur raketa me rreze të mesme veprimi në zona nga të cilat mund të arrihen territoret përkatëse.