Arabia Saudite u ka kërkuar ndihmë vendeve të rajonit për të rimbushur stokun e varfëruar të raketave përgjuese për sistemin e saj të mbrojtjes ajrore Patriot të prodhuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo, tregon agjencia “Financial Times”, teksa rebelët jemenas po rrisin sulmet me raketa dhe dron mbi mbretërinë.

Një zyrtar i lartë amerikan ka thënë se administrata e presidentit Joe Biden i ka mbështetur lëvizjet për të marrë raketa nga Gjiri, mes shqetësimeve se rezervat e Patriot-it mund të mbarojnë me muaj.

“Është një situatë urgjente. Ka vende të tjera në Gjirin Persik prej nga mund t’i marrin dhe ne po përpiqemi të punojmë për këtë”, ka thënë zyrtari.

Një burim ka thënë se Princi i Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman, la të kuptohet për këtë çështje gjatë një samiti të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit në Riad në dhjetor.

Dhe se më pas, mbretëria kontaktoi drejtpërdrejt me kombet në rajon.

Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse fqinjët e Arabisë Saudite kanë qenë në gjendje ta furnizojnë atë me municione.

Arabia Saudite e merr shumicën e armëve nga SHBA-të, por aftësia për të blerë armë nga Washington-i është komplikuar nga kritikat dypartiake për drejtimin e luftës së saj në Jemen, si dhe nga shqetësimet për abuzimet e të drejtave të njeriut nën udhëheqjen e Princit Mohammed.

Një tjetër zyrtar i lartë i administratës ka thënë se Washington-i “po punonte ngushtë me sauditët dhe vendet e tjera partnere për të siguruar që nuk kishte boshllëk në mbulim”.

Kurse një zyrtar i tretë amerikan ka thënë se rebelët Houthi i kanë shtuar sulmet e tyre ndaj mbretërisë vitin e kaluar, duke nisur 375 sulme ndërkufitare kundër Arabisë Saudite, shumë prej të cilave synonin infrastrukturën e naftës, aeroportet dhe qytetet.

Sipas “Financial Times”, sistemet e mbrojtjes saudite marrin shumicën e predhave. Por 59 civilë janë vrarë që kur Riadi filloi luftën kundër Houthi-ve shtatë vjet më parë.

Zëdhënësi i mbrojtjes saudite, Turki al-Malki, ka thënë se mbretëria e vlerësonte “partneritetin e saj të fortë dhe solid me SHBA-të”..

“Bashkëpunimi ynë ushtarak është në vazhdim dhe ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me partnerët tanë amerikanë në përballimin e kërcënimit të raketave balistike ndërkufitare”, ka vijuar ai.

Zyrtarët e administratës Biden kanë këmbëngulur se janë të përkushtuar për mbrojtjen e mbretërisë.

Arabia Saudite ka luftuar kundër Houthi-t që kur udhëhoqi një koalicion arab që ndërhyri në luftën civile të Jemenit në vitin 2015, pasi rebelët rrëzuan qeverinë jemenase dhe pushtuan Sana’an, kryeqytetin.