Jeffrey Hovenier, ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka arritur sot në Kosovë.

I ngarkuari i deritanishëm me punë në këtë ambasadë, Nicholas Giacobbe, përmes një postimi në Twitter ka njoftuar se Hovenier pritet që nesër t’i dorëzojë edhe letrat kredenciale.

“Sot e mirëprita në Prishtinë ambasadorin e emëruar Jeff Hovenier. Ka qenë nder të shërbej si i Ngarkuar me Punë gjatë disa muajve të fundit”, shkroi Giacobbe në Twitter, përcjell Demokracia.com.

Më 28 dhjetor, Hovenier ishte betuar si ambasador i ri i Shteteve të Bashkuara në Kosovë.

Ai e kishte bërë betimin para Nënsekretares së Shtetit për Çështje Politike, Victoria Nuland.

Por, kush është Jeffrey Hovenier, i cili do ta zëvendësojë ambasadorin e deritanishëm Philip Kosnett, mandati i të cilit përfundoi në fund të vitit 2021?

Hovenier është diplomat karriere i shërbimit të jashtëm amerikan, i cili ka qenë pjesë e stafit të të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, raporton Demokracia.com.

Deri në marrjen e pozitës së ambasadorit, Hovenier ka qenë zëvendësshef i misionit të Ambasadës së Amerikës në Turqi.

Po ashtu, ai ka shërbyer edhe në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Berlin dhe në misionet e SHBA-së në Kroaci, Greqi, Panama, Paraguai dhe Peru.

Në Uashington, ai ka kryer detyrën e Drejtorit për Çështje të Evropës Qendrore dhe Juglindore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe në Byronë e Departamentit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike me përgjegjësi për NATO-n dhe Çështjet e Evropës Qendrore.

Në vitin 2018, Hovenier ishte takuar me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, teksa ky i fundit e kishte dekoruar atë me Medaljen Presidenciale të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë.

“Mbështetja e juaj dhe e SHBA-së në të gjitha proceset politike ka qenë përcaktuese për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Do të jemi përgjithmonë mirënjohës”, kishte thënë Thaçi pas dekorimit të tij.

Ndërsa, diplomati amerikan Jeffrey Hovenier kishte deklaruar se qëndrimi amerikan gjithmonë ka qenë në përkrahje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

“Unë do të jem gjithmonë një mik i Kosovës”, kishte deklaruar Hovenier.

Ndërsa në një seancë dëgjimore para Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, gjatë muajit tetor të viti 2021, Hovenier kishte thënë se nëse konfirmohet në postin e ambasadorit, ai do ta ketë prioritet vazhdimin e mbështetjes amerikane për një Kosovë sovrane e demokratike.

Ai, po ashtu, kishte thënë se do ta inkurajojë Kosovën për konstruktivitet dhe fleksibilitet në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.